Prishtinë, 06 shtator 2021- Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani Rama, së bashku me gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë nga secili departament veç e veç, kanë pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci si dhe u.d Kryetarin e Gjykatës së Apelit Afrim Shala.
Kryetarja e gjykatës Shabani Rama e njoftoj Kryesuesin Zogaj me të arriturat por edhe me sfidat e kësaj gjykate, duke u ndalur me theks të veçantë te numri i madh i lëndëve, mungesat e stafit mbështetës, trajtimi i lëndëve të vjetra si dhe lëndëve të kthyera në rigjykim.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj shprehu mbështetjen e plotë për kryetaren dhe gjyqtarët por njëkohësisht kërkoj angazhim edhe më të madh për realizimin e detyrave, në bazë të përgjegjësive që i kanë gjyqtarët me qëllim të ngritjes së efikasitetit si dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci kërkoj nga gjyqtarët e gjykatës që të zbatohet udhëzuesi për unifikimin e politikave ndëshkimore, po ashtu krerët e sistemit gjyqësor u pajtuan që në të ardhmen të mbajnë sa më shumë takime të përbashkëta me qëllim të unifikimit të praktikave të gjykatave.