Prishtinë, 26 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.B., B.S. dhe XH.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, nga neni 277 par.1 të KPRK-së, Falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 par.1 të KPRK-së, Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve nga neni 391 par.1 të KPRK-së dhe Kontrabandimi me migrant nga neni 164 par.1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tre të pandehurve B.B., B.S. dhe XH.K gjykata ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, përkatësisht deri më datën 24.04.2021.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të arratisen nga vendi apo fshihen me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonin në zvarritjen e procedurës penale, po ashtu po të gjendën në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të dëmtuar e në ketë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, gjithashtu nëse të njëjtit gjendën në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të njëjta apo të ngjashme.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.