Me qëllim të rritjes së transparencës nga tani e tutje në web portalin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në baza mujore opinioni i gjerë publik mund të gjejë raportin individual të lëndëve të kryera nga gjyqtarët e kësaj Gjykate, përfshirë edhe degët në Podujevë, Lipjan, Gllogoc dhe Graçanicë.
Në linkun më poshtë gjendet raporti i paraqitur për periudhën janar-qershor 2019, ndërsa nga tani e tutje publikimi i raportit të lëndëve të kryera nga gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë do të bëhet publik në baza mujore.
Gjykata Themelore në Prishtinë me degët e saj vitin 2019 e ka filluar me 98.243 lëndë, ndërsa gjatë periudhës raportuese gjashtëmujore ka pranuar 13.411 lëndë.
Në periudhën raportuese prej datës 01.01.2019 deri më datë 31.06.2019 Gjykata Themelore në Prishtinë ka kryer gjithsej 25.469 lëndë, që nënkupton se efikasiteti i kësaj gjykate në zgjidhjen e lëndëve është 189.91%, rrjedhimisht ka arritur që të përfundojë lëndë në numër më të madh se që ka pranuar dhe njëkohësisht ka arritur që për 12.058 lëndë të reduktohet numri i lëndëve te vjetra.
Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka kushtuar vëmendje të veçantë Departamentit të Krimeve të Rënda ku nga 159 lëndë të pranuara ka arritur të kryejë 397 lëndë brenda periudhës gjashtëmujore të vitit 2019. Andaj, efikasiteti i shprehur në përqindje është 191.19% ose janë kryer 238 lëndë më tepër se sa numri i lëndëve të pranuara në këtë departament.