Prishtinë, 04 korrik 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit H.S. për veprat penale Sulmi nga neni 184 par.3 pika 3.1 lidhur me nenin 1 të KPRK-së, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1…
Prishtinë, 04 korrik 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit H.S. për veprat penale Sulmi nga neni 184 par.3 pika 3.1 lidhur me nenin 1 të KPRK-së, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së dhe Lëndim i lehtë trupor nga neni 188 par.1 pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari H.S. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vitesh e 6 (gjashtë) muajsh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
I akuzuari H.S. është akuzuar nga Prokuroria pasi që në vitin 2015 pas një fjalosje të shkurtër me ish-bashkëshorten e tij, e kishte sulmuar duke e goditur në fytyrë dhe në shpinë. Po ashtu, i akuzuari H.S. në vitin 2019 derisa ishte konsumator në një piceri, ka filluar ta ofendojë punëtorin e këtij lokali dhe të njëjtin e kishte goditur disa herë në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. I akuzuari H.S. prej datës së panjohur e deri më datë 23.03.2019 kishte mbajtur një revole, një karikator dhe katër fishekë, të cilat i ka poseduar pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.
Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.