Prishtinë, 30 Janar 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit O.K., për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.
I akuzuari O.K. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 2 (dy) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 06.11.2024 deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi. Të akuzuarit O.K. i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
I akuzuari O.K., nga data 26.01.2013 e në vazhdimësi kishte marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Al Nusra”, në shtetin e Sirisë, duke ju bashkuar kësaj organizate me datë 26.01.2023, në atë mënyrë që i njëjti kishte udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për në Stamboll të Turqisë, ku nga aty me disa persona të tjerë të paidentifikuar deri më tani, e kishte kaluar në territorin e Sirisë dhe i është bashkuar organizatës terroriste “Al Nusra”, pjesëtarët e së cilës, të pandehurit i kanë caktuar detyra konkrete operative në territorin e quajtur “Gota” që gjendet afër qytetit të Damaskut dhe të njëjtin e kishin pajisur me armë automatikë të llojit AK-47 dhe municion, me qëllim që të ndërmerr veprimet e kërkuara nga udhëheqësit e kësaj organizate, me këtë kishte kryer veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.
Obligohet i akuzuari që të paguaj të gjitha shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate dhe atë; në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100€ (njëqind euro), si dhe për fondin e viktimave të krimit shumën nga 100 (njëqind) euro, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.