Prishtinë, 27 Dhjetor 2024 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani Rama së bashku me Nënkryetaren e gjykatës Ilire Vitija Bajraktari dhe Administratorin e gjykatës Shaban Gërxhaliu, mbajtën kolegjiumin e fundvitit me gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe degët e saj.
Kryetarja e gjykatës fillimisht shprehu falënderime për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe profesionalizmin e gjyqtarëve në trajtimin e lëndëve dhe në rritjen e efikasitetit, duke theksuar se ka pasur një rritje të dukshme të performances, krahasuar me vitin 2023.
Gjatë prezantimit kryetarja paraqiti një pasqyrë të performancës për vitin 2024, duke vlerësuar sukseset, por edhe duke identifikuar sfidat dhe mangësitë që u hasën gjatë vitit 2024. Megjithatë, ajo theksoi se pavarësisht vështirësive janë bërë përpjekje të vazhdueshme për përmirësime. Po ashtu, në këtë takim Kryetarja paraqiti edhe planin e punës për vitin 2024 në të cilin janë paraqitur planet e detajuara me qëllim të zhvillimit të punës së Gjykatës për vitin 2025, në të cilin janë marrë parasysh të gjitha të gjeturat e vitit që po lëjmë pas.
Plani Punës për vitin 2024, u aprovua nga të gjithë gjyqtarët e gjykatës dhe degëve.
Në këtë kolegjium u vlerësua i gjithë stafi mbështetës i gjykatës, me theks të veçantë, u falenderuan bashkëpunëtorët profesional, të cilët kanë treguar performancë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2024 dhe atë: Eliron Olluri, Elena Sejdiu, Fiton Haklaj, Taulant Maliqi dhe Leonard Gashi, për të cilën u ndanë edhe mirënjohje nga ana e Kryetares së Gjykatës.