Prishtinë, 20 Nëntor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit I.O, për shkak të veprave penale Vrasja e rëndë në tentativë dhe Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë
andaj të pandehurit I.O i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Detyrohet Stacioni Policor në Graçanicë, në çdo kohë të verifikojë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të masës nga ana e të pandehurit, ta njoftojë gjyqtarin e procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda.
Nëse i pandehuri nuk e respektonë këtë aktvendim, gjykata masën e arrestit shtëpiak, do t’ia zëvendësoj me masën e paraburgimit.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, mund të jetë i pa arritshëm për procedurën penale, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale Vrasja e rëndë në tentativë dhe Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve, po ashtu ka rrezik të ikjes, i njëjti mund të arratiset duke marrë parasysh faktin se ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe i është shmangur urdhëresave të lëshuara dhe në këtë mënyrë i pandehuri I.O mund të jetë i paarritshëm për gjykatën dhe do të vështirësonte përfundimin me sukses të kësaj procedure penale. Gjykata po ashtu vlerësoj se i pandehuri I.O mund të asgjësojë, fsheh, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, duke ndikuar tek të pandehurit tjerë si dhe i njëjti mund të përsëris veprat penale te njëjta apo të kryejë vepra tjera penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.