Në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët e saj filluan praktikën një vjeçare 59 jurist të rinj

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët e saj filluan praktikën një vjeçare 59 jurist të rinj

Prishtinë, 28 Tetor 2024 – Administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë Shaban Gërxhaliu priti në takim gjeneratën e re të praktikantëve, të cilët do të angazhohen në një periudhë një vjeçare në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët e gjykatës.

Gjatë këtij takimi, administratori i gjykatës iu uroj mirëseardhje praktikantëve, duke i inkurajuar që gjatë kësaj periudhe kohore të përfitojnë sa më shumë njohuri nga puna praktike dhe të zhvillohen profesionalisht. Ai theksoi rëndësinë e këtij momenti për çdo praktikant dhe shprehu besimin se ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e tyre, pasi kjo përvojë është e rëndësishme për ata që dëshirojnë të ndjekin një karrierë në ligj, duke i ndihmuar të kuptojnë më mirë sfidat dhe mundësitë e profesionit.

Praktika profesionale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ofron një mundësi të vlefshme për juristë të rinj, që të zhvillojnë njohuritë e tyre të marra gjatë studimeve, duke iu nënshtruar situatave reale dhe sfidave të cilat ndeshen në fushën e ligjit. Përmes kësaj praktike, juristët do të kenë mundësinë të kontribuojnë në trajtimin e çështjeve të ndryshme ligjore, që paraqiten në gjykatë. Kjo praktikë ofron një bazë të fortë për zhvillimin e karrierës dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme në fushën e drejtësisë.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të angazhohen 43 praktikantë, në degën e gjykatës në Podujevë janë 4 praktikantë, në degën e gjykatës në Lipjan janë 9 praktikantë, në degën e gjykatës në Gllogoc është 1 praktikantë dhe në degën e gjykatës në Fushë Kosovë janë 2 praktikantë.