Prishtinë, 30 Shtator 2024 – Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së Paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit E.K dhe GJ.K për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale Dhunë në Familje.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.K dhe GJ.K dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi të pandehurit janë në lidhje familjare dhe nëse lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, mund të shmangen nga procedura penale, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.