Prishtinë, 23 Shtator 2024 – Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së Paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit V.K, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.K me datën 21.09.2024 rreth orës 12:15,deri sa ishte në veturën e markës Peugeot me të arritur tek rrethi përball kazermës ,, Adem Jashari,, në hyrje të Prishtinës nga drejtimi i Fushë Kosovës, është ndalur nga Policia për kontroll dhe gjatë kontrollimit të çantës se të dyshuarit, tek i njëjti është gjetur arma e zjarrit e llojit CZ ngjyrë e zezë dhe e kaftë së bashku me karikator dhe 11 fishek të kalibrit 7 mm, të cilën i dyshuari po e mbante në kundërshtim me ligjin dhe pa leje nga organet kompetente dhe arma i është sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës, me këtë I pandehuri V.K dyshohet se ka kryer veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.K dhe të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, mund të shmanget nga procedura penale, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe i njëjti mund të përsëris veprën penale apo mund të kryej vepër penale edhe më të rëndë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.