Prishtinë, 12 Shtator 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale ndaj të pandehurit V.B, për shkak se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Manipulim me prova dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose poseedim të pa autorizuar të armëve.
Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.09.2024 në Prishtinë, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri V.B merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit S.S dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit F.A, me ç ‘rast shkon në terasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal, ku vërehet se në duar nuk ka më asgjë, e më këto veprime i pandehuri V.B në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Manipulim me prova, po ashtu me të njëjtën datë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin V.B dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, mund të shmanget nga procedura penale duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe i mund të kryejë vepër penale tjetër penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.