Prishtinë, 08 Shtator 2024 – Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së Paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve J.M, P.G, P.H dhe M.M për shkak se në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale Lëndimi i rëndë trupor.
Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 07.09.2024 rreth orës 03:37 në parkingun mbrapa Routte 66 në rrugën Dervish Çollaku – Zona Industriale në Prishtinë, pas një mosmarrveshje të atëçastshme brenda diskotekës me të dëmtuarin A.N, të pandehurit dalin para hyrjes së diskotekës dhe presin derisa i dëmtuari të dal jashtë dhe në momentin kur i dëmtuari del nga diskoteka, katër të pandehurit e përcjellin dhe e godasin me mjete të forta (tulla) në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve J.M, P.G, P.H dhe M.M dhe të njëjtëve i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, mund të shmangen nga procedura penale duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.