Prishtinë, 09 Gusht 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale ndaj të pandehurit S.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose poseedim të pa autorizuar të armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.K dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri S.K gjendet në liri, i njëjti mund të ik dhe të arratiset, kjo për faktin se për veprën penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë, po ashtu ekziston edhe rreziku i ndikimit në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë e sigurisë, për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për një të mitur, të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë në tentativë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose poseedim të pa autorizuar të armëve.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.