Gjykata Themelore Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit N.O për dy vepra penale

Gjykata Themelore Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit N.O për dy vepra penale

Prishtinë, 24 Qershor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit N.O, për veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

I akuzuari N.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjete (15) muaj për veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar, i cili dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23.06.2023, do ti llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.

I akuzuari N.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj edhe për veprën penale Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, e që konform nenit 44 paragrafi 1 të KPRK-së, me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i zëvendësohet me dënimin me gjobë, në shumë prej dymbëdhjetë mijë €uro (12.000 €), të cilin dënim duhet ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në rast se i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj dënimin me gjobë, gjykata komfor nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së, dënimin me gjobë do t’ia zëvendësoj me dënim me burgim, duke iu llogaritur njëzet €uro (20 €), për një ditë burgimi.

Me aktvendim të veçantë, të akuzuarit N.O i vazhdohet masa e paraburgimit deri në kohëzgjatjen e dënimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Obligohet i akuzuari që ti paguaj shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind €uro(100 €), në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, po ashtu obligohet i akuzuari që në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguajë shumën prej njëqind €uro (100 €), në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Me datë 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i akuzuari N.O në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kishin marr pjesë aktiv në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kishin sulmuar dhe kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit nga të cilat janë lënduar të paktën tridhjetë (30) pjesëtar të forcave paqeruajtës të KFOR-it, tre (3) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit si dhe disa pjesëtar të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, e që me këto veprime kishin rrezikuar seriozisht jetën dhe trupin e këtyre personave zyrtar, e të cilëve edhe iu kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore. 

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.