Prishtinë, 05 Qershor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.S për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me personin NN ka kryer veprën penale Vrasja në tentativë, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.S dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, andaj nëse i pandehuri SH.S lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij duke pasur parasysh se i njëjti prej ditës kritike me datë 04.03.2024 kur kishte ndodhur rasti për të cilin akuzohet, kishte qenë në arrati deri në momentin e arrestimit-ndalimit të tij me datë 03.06.2024, pra gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore i njëjti kishte ikur dhe nuk iu ishte përgjigjur ftesave të organeve të drejtësisë, po ashtu gjykata vlerësoj se nëse pandehuri SH.S do të jetë në liri, mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në të dëmtuarit dhe dëshmitarët e kësaj çështje penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.