Prishtinë, 12 Maj 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.M, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtar të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë, si dhe dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik, tregon mjaftueshëm se i pandehuri nëse lihet që të mbrohet në liri do të tentojë që të ndryshojë provat e veprës penale, duke ndikuar në të dyshuarit e tjerë të cilët gjenden të lirë si dhe dëshmitarët tjerë eventualë, po ashtu në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, i njëjti lehtë mund të arratiset duke marrë në konsideratë faktin se i pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët, andaj në këtë rast caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm.
I pandehuri S.M dyshohet se me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara me datë 29.05.2023 para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe duke përdorur shkumë ka tentuar të bëjë bllokimin e ventilimit të veturës së Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin të ngujuar brenda në veturë zyrtarë policorë, e qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’ju ndalet furnizimi me oksigjen duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë, me çka nga veprimet e këtij të pandehuri përmbushën të gjitha elementet e veprave penale për të cilat dyshohet.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.