Prishtinë, 03 Maj 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, Afrim Shala, me bashkëpunëtorë kanë vizituar sot Gjykatën Themelore në Prishtinë, me ç’rast janë pritur nga Kryetarja e kësaj gjykate, Albina Shabani Rama, gjyqtarët e divizionit civil, penal dhe të kundërvajtjes të Gjykatës Themelore Prishtinë. Takimi është mbajtur edhe me zyrtarë nga Gjykata Supreme, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Komerciale.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth planit të veprimit për procesin e monitorimit të kualitetit të të dhënave dhe barazimit të lëndëve gjyqësore në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) si dhe efikasiteti i lëndëve, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve elektronike për qytetarët të cilët marrin shërbime nga gjykatat dhe degët e tyre.
Kryesuesi i KGJK-së, kërkoi angazhim nga gjyqtarët dhe stafi për përmirësimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të këtij procesi, me ç’rast ka theksuar mbështetjen e KGJK-së në këtë drejtim, me qëllim të rritjes së transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.