Prishtinë, 03 Maj 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.S, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, Asgjësimi apo Dëmtimi i pasurisë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 184 par 1. nën par. 1.1 dhe 1.2 pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se mos caktimi i masës së paraburgimit, do të kishte për pasoj që i pandehuri do të asgjësojë, fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale dhe do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, po ashtu gjykata ka konsideruar se më lënien e tij në liri ekziston mundësia e përsëritjes së veprës penale apo kryerjes së ndonjë vepre tjetër te natyrës se njëjtë apo të ngjashme apo përfundimi i veprës se mbetur në tentativë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.