Prishtinë, 08 Mars 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit N.S, për shkak të veprave penale Vrasja e rëndë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
I akuzuari N.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e pesë ( 25 ) vite, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 13.06.2022. i cili dënim do ta ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Obligohet i akuzuari që të paguaj shpenzimet procedurale, në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej dyqind euro (200 €) si dhe në emër të taksës për kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë euro (50.00 €) në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.
Me datën 13.06.2022, rreth orës 17:00, në fshatin Bajçinë, komuna Podujevë, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me çështjen pronësore, i akuzuari N.S me dashje e kishte privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin E.S, në atë mënyrë që deri sa i ndjeri kishte qenë duke punuar – kositur barin me traktor në livadhin e fqinjit të tyre, i akuzuari posa e kishte vërejtur, kishte shkuar tek shtëpia e tij dhe e kishte marr armën – pushkë automatike dhe të njëjtën e kishte futur në veturë dhe posa kishte arritur afër vendit të ngjarjes ishte afruar në një distancë të afërt ndaj të ndjerit E.S dhe kishte shtënë disa herë në drejtim të tij duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e plagëve të rënda në atë vend, tani i ndjeri kishte vdekur.
Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.