Prishtinë, 07 Mars 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit L.B, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Shtytja për kryerjen e veprave terroriste dhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
I akuzuari L.B është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy ( 2 ) vite, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe në masën e arrestit shtëpiak nga data 15 maj 2023 deri me 07.03.2024 dhe dënim me gjobë në shumë prej tre mijë euro (3.000 €), të cilin dënim i akuzuari duhet ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Nga i akuzuari gjykata konfiskon përgjithmonë sendet e luajtshme, si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet që i nënshtrohen automatikisht konfiskimit, të cilat janë sekuestruar përkohësisht me vendimin e Gjykatës, si sende të përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale.
Obligohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësore, në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej njëqind €uro ( 100 €), në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, po ashtu obligohet i akuzuari që në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguajë shumën prej njëqind euro (100 €), në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në bazë të nenit 367 paragrafi 1 të Kodit të Procedures Penale të Republikës së Kosovës, pas shpalljes së aktgjykimit, gjykata i udhëzon palët për të drejtën në ankesë.
Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.