Prishtinë, 05 Mars 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuait B.V, për shkak të veprës penale të rikualifikuar Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, nga neni 138 paragrafi 1 lidhur me veprën penale Trajnimi për terrorizëm, nga neni 133 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari B.V është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri (3) vite e gjashtë (6) muaj, koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 21.02.2023, do të i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.
Me aktvendim të veçantë PS.46/2023, të datës 05 mars 2024, gjykata konform nenit 366 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me paragrafin 3; 4; 5 dhe 6 të KPPRK-së, të akuzuarit B.V ia vazhdon masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore Prishtinë.
Nga i akuzuari B.V konfiskohet shuma e të hollave prej 2500 €, si pasuri e specifikuar në aktakuzë të holla këto të dedikuara për furnizimin e materialit për kryerjen e akteve terroriste.
Obligohet i akuzuari që të paguajë shumën prej njëqind €uro (100 €) në emër të shpenzimeve procedurale dhe shumën prej njëqind €uro (100€) në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.
I akuzuari B.V në peridhën kohore disa mujore e deri në datën e arrestimit të tij me datë 21.02.2023, kishte bërë plane dhe ishte përgaditur për ndërmarrjën e sulmeve terroriste në Kosovë, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT dhe në pikën kufitare Merdarë me materie të rrezikshme dhe vdjekje prurëse për jetën e njerëzve në kombinim me Nitrat de Calcium, e të cilat në detaje ai i kishte shpalosur gjatë komunikimit të zhvilluar përmes aplikacionit Threema, nga profili ”Proxyal”, me një person me emrin “Al Muhaxheri – ( i huaj)” nga i cili kishte kërkuar udhëzime për krijimin e bombave artizanale apo materie eksplozive, për realizimin e planit të tij, e që me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, me rastin e ndalimit dhe kontrollit në pikën kufiatare Hani i Elezit, i njëjti ishte arrestuar nga Policia e Kosovës DKT në Prishtinë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.