Prishtinë, 08 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë -Departamenti i Përgjithshëm Penal ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve A.B dhe D.D për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Ngacmimi seksual nga neni 183 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale Fotografim dhe incizime tjera të paautorizuar nga neni 202 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.B dhe D.D, andaj të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
Të pandehurve A.B dhe D.D iu është caktuar masa e paraburgimit në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.