Prishtinë, 06 nëntor 2023 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj.Albina Shabani – Rama bashkë me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Albert Zogaj si dhe gjyqtarin dhe njëherësh kryetarin e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025 si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024 z.Afrim Shala, zhvilluan një vizitë në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Drenas, të pranishëm në takim ishin Eksperti nga USAID, z.John Ferry, gjyqtari mbikëqyrës i degës në Drenas z.Shefqet Baleci si dhe gjyqtarët tjerë të kësaj dege.
Gjatë takimit u diskutua lidhur me progresin e gjykatës në zbatim të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025.
Kryesuesi Zogaj theksoi rëndësinë e zbatimit të këtyre planeve strategjike të KGjK-së, në mënyrë që efikasiteti i sistemit gjyqësor të rritet, ndërsa gjyqtari Shala sqaroi se Komisioni për monitorimin e planeve strategjike të KGjK-së, do ta vlerësojë punën e secilit gjyqtar në zbatim të këtij plani.
Në anën tjetër eksperti nga USAID, z.John Ferry inkurajoi gjyqtarët që të përfillin dhe zbatojnë planet e tilla, pasi që ato jo vetëm që rrisin efikasitetin e gjyqësorit, por ua lehtësojnë edhe vet gjyqtarëve procesin e vendimmarrjes.
Të pranishmit u zotuan për të përmbushur objektivat e këtij Plani Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, me focus në përfundimin e lëndëve të vjetra.