Kryetarja e gjykatës ka marrë pjesë në hapjen e trajnimit tre ditor të organizuar nga Departamenti i Demokratizimit në kuadër të OSBE -së

Kryetarja e gjykatës ka marrë pjesë në hapjen e trajnimit tre ditor të organizuar nga Departamenti i Demokratizimit në kuadër të OSBE -së

Prishtinë, 01 nëntor 2023 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj.Albina Shabani Rama ka marrë pjesë në hapjen e trajnimit tre ditor të organizuar nga Departamenti i Demokratizimit në kuadër të OSBE -së, me temën “Raportimi i gjykimit të simuluar”, i cili po mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me pjesëmarrës studentë të gazetarisë dhe të fakultetit juridik. Në ditën e hapjes së këtij trajnimi morën pjesë Ambasador z.Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Albina Shabani – Rama, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë z.Mentor Bajraktari dhe Prokurorja e Prokurorisë Themelore znj.Elza Bajrami. Po ashtu, pjesëmarrës në këtë trajnim në cilësinë e ekspertëve të së drejtës së medias kanë prezentuar znj.Flutura Kusari dhe z.Florent Spahija.

Ambasadori z.Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, në fjalën hyrëse të këtij trajnimi u shpreh i kënaqur për mbajtjen e këtij trajnimi dhe i inkurajoi të gjithë studentët pjesëmarrës që të përfitojnë sa më shumë nga ky trajnim.

Kryetarja e gjykatës në fjalën hyrëse ju uroi mirëseardhje të gjithë studentëve prezent në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe shprehu kënaqësinë për organizimin e një trajnimi të tillë, duke shprehur se roli i medias sot në jetën publike është më i rëndësishëm se kurrë më parë, veçmas në krijimin e opinionit shoqëror për procedurat gjyqësore dhe krijimin e besimit në sistemin gjyqësor.

Kryetarja Shabani – Rama ndër të tjerash u shpreh se gazetarët që raportojnë në gjykata duhet të kenë gjithmonë parasysh parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të gjykimit të drejtë, dy të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës por edhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dy të drejta që duhet të respektohen në secilën shoqëri demokratike.

Të vetëdijshëm për rëndësinë e raportimit të drejtë dhe veçmas për rëndësinë e punës në sistemin gjyqësor në vend, Kryetarja e Gjykatës ftoi të gjithë pjesëmarrësit e këtij trajnimi që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të zgjerojnë horizontin e dijës dhe profesionit të tyre nga puna praktike dhe reale që ndodh brenda sistemit të drejtësisë në vend, si dhe njëkohësisht të kujdesen që çdo herë raportimi të jetë i drejtë, real dhe në kohë.