Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit D.M për veprën penale të Kanosjes

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit D.M për veprën penale të Kanosjes

Prishtinë, 07 gusht 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit D.M, për shkak të veprës penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari  D.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim me gjobë, në shumën prej 5.000.oo ( pesë mijë) euro. I akuzuari dënimin me gjobë mund ta paguaj brenda afatit prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Me datën 23.12.2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara G.M ishte në veturën e saj në lagjen e Spitalit në Prishtinë, i akuzuari D.M përmes telefonit mobil e kishte kanosur të dëmtuarën G.M në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Republikës së Kosovës me fjalë, e pas disa minutash rreth orës i kishte dërguar një mesazh përmes telefonit, me çka tek e dëmtuara G.M kishte shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.