Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër dy të akuzuarve

Gjykata Themelore në Prishtinë  ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër dy të akuzuarve

Prishtinë 03 gusht 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin PS.nr.33/2023 në çështjen penale kundër të akuzuarve S.J dhe I.S. për veprat penale në bashkëkryerje Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 paragrafi 1 dhe 3 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i akuzuari I.S edhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari S.J është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit pas shpalljes së aktgjykimit, i zëvendësohet me dënimin me gjobë, në shumën prej shtatëmijë (7.000.00) Euro.  Në dënimin e shqiptuar me gjobë, të akuzuarit S.J i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 31.05.2023 deri 03.08.2023, gjithsej 65 ditë, ashtu që për një (1) ditë të kaluar nën masën e paraburgimit, barazohet me njëzet (20) Euro, e që si gjobë që tani i gjykuari duhet të paguaj, i mbetet shuma prej pesëmijë e shtatëqind (5.700.00) Euro. Obligohet i akuzuari S.J që konform nenit 43 paragrafi 2 të KPRK-së, dënimin e lartcekur ta paguajë në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë gjobën, gjykata konform nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së do t’ja zëvendësojë me dënim me burgim.

I akuzuari I.S është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit pas shpalljes së aktgjykimit  i zëvendësohet me dënim unik me gjobë, në shumën prej nëntëmijë (9.000.00) Euro. Obligohet i akuzuari që konform nenit 43 par.2 të KPRK-së, gjobën e lartcekur ta paguajë në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Nëse i gjykuari në fjalë nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë gjobën, gjykata konform nenit 43 par.3 të KPRK-së do t’ja zëvendësojë me dënim me burgu duke ja llogaritur për një ditë burg me njëzet (20) Euro.

Konform nenit 67 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,  kundër të akuzuarëve S. J dhe I.S ju shqiptohet Dënimi Plotësues – Urdhërohet dëbimi i dy të akuzuarve nga Territori i Republikës së Kosovës dhe secilit veç e veç ju ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, në kohëzgjatje prej tre (3) vite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, dhe urdhërohet konfiskimi i përhershëm i sendeve të sekuestruara.

Me aktvendim të veçantë, gjykata ju ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.