Prishtinë, 01 Qershor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.J dhe I.S për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, nga neni 138, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 si dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, nga neni 404 i Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa për caktimin e paraburgimit e Prokurorisë Speciale, është e bazuar, andaj të njëjtën e ka aprovuar dhe të pandehurve S.J dhe I.S iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit S.J dhe I.S kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.