Prishtinë 22 dhjetor 2022 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj.Albina Shabani Rama ka mbajtur kolegjiumin e fundvitit me gjyqtarë për vitin 2022, të ftuar ishin të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe degëve të saj.
Në kolegjium kryetarja Shabani – Rama prezantoi rishikimin e performancës së vitit 2022, problemet dhe mangësitë, synimet e vitit 2023 si dhe planin e punës për vitin 2023.
Kryetarja e gjykatës falënderoj gjyqtarët për angazhimin e tyre profesional në trajtimin e lëndëve dhe rritjen e efikasitetit në punë.
Kryetarja Shabani-Rama para gjyqtarëve prezantoi Planin e Punës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për vitin 2023, plan në të cilin është paraparë organizimi i punës në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degëve të saj, organizimi i punës së administratës gjyqësore, funksionet gjyqësore, emërimin e udhëheqësve të Departamenteve dhe Përgjegjësit e Divizioneve, përbërjen e kolegjeve, procedurën paraprake, kodin e mirësjelljes, etj.
Ky plan u prezantua në detaje para gjyqtarëve dhe mori përkrahjen unanime të gjyqtarëve duke u aprovuar pa asnjë vote kundër.
Me rastin e kalimit në Gjykatën Komerciale të gjyqtarit dhe nënkryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë z.Dren Rogova, kryetarja Shabani – Rama vlerësoj lartë bashkëpunimin, punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar si gjyqtar dhe si nënkryetar të gjykatës. Po ashtu kryetarja e gjykatës falendëroj edhe gjyqtarin z. Ramush Bardiqi për bashkëpunimin dhe kontributin e tij si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili ka kaluar gjyqtar në Gjykatën Komerciale.
Kryetarja e gjykatës për gjyqtarët z.Rogova dhe z.Bardiqi ndau mirënjohje në shenjë falendërimi për kontributin e tyre në gjykatë.
Gjatë vitit 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët e saj janë pranuar 41470 lëndë, janë trashëguar 81234 lëndë, janë zgjidhur 32036 lëndë dhe në punë janë gjithsej 90668 lëndë.
Vlen të theksohet se në Gjykatën Themelore në Prishtinë me degët e saj, gjatë vitit 2022 efikasiteti i gjykatës është në rritje 77.25 %, e që për vitin 2021 ka qenë 56.64 %, e që rezulton se në raport me vitin 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka rritur efikasitetin për 20.61%.