Prishtinë, 13 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve A.A dhe A.V sepse në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale Vrasja e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari A.A është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 21( njëzet e një vite), koha e kalur në paraburgim ju llogaritet në dënimin e shqipuar, po ashtu edhe i akuzuari A.V është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 21( njëzet e një vite), koha e kaluar në paraburgim ju llogaritet në dënimin e shqipuar.
Të akuzuarve A.A dhe A.V konform nenit 367 paragrafi 3 lidhur me nenin 187 KPPRK-së, iu vazhdohet masa e paraburgimit.
Me datë 24.11.2017 rreth orës 02:50 pranë kafiterisë Francisko në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, të akuzuarit A.A dhe A.V në bazë të marrëveshjes paraprake kishin privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe rrezikuar jetën e të dëmtuarve tjerë të cilët ishin të pranishëm.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.