Prishtinë, 12 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 402 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, në kuptim të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 të KPP-së, ngase i pandehuri me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të peshës së veprave penale për të cilat ngarkohet, e këtë lehtë mund ta bëjë kur merret për bazë fakti se i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë ashtu që do të jetë i pa arritshëm për organet e ndjekjes, po ashtu ekziston rreziku se me lënien në liri i njëjti mund të fsheh, asgjësojë, apo ndryshojë provat që duhen të merren gjatë fazës së hetimeve, andaj sipas vlerësimit të Gjykatës caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurit në këtë fazë të procedurës penale është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatim me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.