Prishtinë, 14 tetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.S dhe F.C për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të Mashtrimit në vazhdimësi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.S dhe F.C e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin veç e veç.
Gjyqtarja e procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetuur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe në këtë mënyrë mund të jenë të paarritshëm për organet e ndjekjes, ndikimi në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, andaj paraburgimi është e vetmja masë me të cilën tani për tani mund të sigurohet prania e të pandehurve në këtë procedurë penale, pengimi i tyre në përseritjen e veprave të ngjashme penale dhe me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të kësaj çështje penale.
Të pandehurit R.S dhe F.C së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, dyshohen se në vazhdimësi prej vitit 2020 e deri më datë 12.10.2022, pas një marrëveshje paraprake mes vete dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore me anë të prezantimit të rremë duke i vënë në lajthim, i kanë mashtruar të dëmtuarit, ashtu që përmes komunikimit në forma të ndryshme përmes rrjeteve sociale, numra të telefonit etj, kanë marr nga të dëmtuarit shuma të mëdha të parave, me çka të dëmtuarve ju kanë shkaktuar dëmë pasurore në vlerë rreth 500.000 ( pesëqind mijë) euro.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.