Prishtinë, 12 tetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit G.R për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 3 lidhur me nenin 23 të KPK-së .
I akuzuari G.R është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) vite, për shkak të veprës penale Vrasje e Rëndë nga neni 147 paragrafi 3 lidhur me nenin 23 të KPK-së, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 30.04.2009 deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
I akuzuari G.R në bashkëkryerje me personin N.N më datë 29.04.2009 në orët e pasdites, në fshatin Llugagji Komuna e Lipjanit, me dashje e me qëllim të privimit nga jeta tani të ndjerin N.H, për shkak të një borxhi në shumë prej 2000 (dymijë euro) të cilën ja kishte huazuar i ndjeri N.H, i akuzuari G.R, e kishte telefonuar tani të ndjerin dhe pasi ishin takuar me të, e kishin goditur në mënyrë dinake me mjete të forta në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e kishin lidhur në këmbë dhe duar me tel, ja kishin vendosur një qese najloni në kokë, e kishin mbështjellë me batanije, pastaj e kishin vendosur në bagazhin e veturës dhe trupin e viktimës e kishin dërguar në një arë në mes të Fshatrave Smallushë dhe Dobratin Komuna e Lipjanit, të cilin e kishin lyer me benzinë dhe djegur, me këtë i akuzuari G.R ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 3 lidhur me nenin 23 të KPK-së .
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.