Prishtinë, 12 korrik 2022 – Në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Gllogoc është mbajtur Mbledhja Komemorative në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e gjyqtarit Daut Qela, i cili ndërroj jetë të premten me datë 08 korrik 2022.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm familjarë të të ndjerit, gjyqtarë si dhe kolegë nga stafi i administratës së kësaj gjykate.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani-Rama tha se gjyqtari Daut Qela padyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në sistemin gjyqësor, duke u dëshmuar si punëtorë i zellshëm, çdo herë me përkushtim të lartë që drejtësia të arrihet në vend, po ashtu vlerësoj lartë punën dhe kontributin i tij të jashtëzakonshëm në deg֝ën e gjykatës në Gllogoc.
Kujtime për të ndjerin Qela evokoi edhe kolegu i tij gjyqtari Shefqet Baleci duke kujtuar kolegialitetin e mirë dhe angazhimet e përbashkëta si gjyqtar të kësaj gjykate.
Në emër të familjes, Tomor Qela falënderoj kryetaren Shabani-Rama si dhe të pranishmit për përkrahjen dhe mbështetjen që po i ofrojnë familjes Qela gjatë këtyre ditëve të vështira nëpër të cilat po kalojnë.
Në fund të ceremonisë Kryetarja e Gjykatës Albina Shabani-Rama ndau familjarëve mirënjohje Post Mortum, për gjyqtarin e ndjerë Daut Qela.