Prishtinë 15 qershor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.S për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, me rastin e vlerësimit të rrethanave për caktimin e masës së paraburgimit vlerësoi se me ndonjë masë tjetër alternative, nuk mund të arrihet zhvillimi i suksesshëm i procedurës penale, përkatësisht shmangien e rrezikut për ikje si dhe ndikimi në deklarimet e dëshmitarëve dhe mbledhjen e provave materiale në këtë çështje penale.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.