Prishtinë, 03 qershor 2022 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj.Albina Shabani -Rama së bashku me gjyqtarë të kësaj gjykate vizituan Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Delegacioni në fjalë është pritur nga z.Shaban Kamberaj U.D.Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, i cili gjatë këtij takimi prezantoi punën dhe funksionimin e këtij institucioni.
Kryetarja e gjykatës Shabani – Rama së bashku me gjyqtarët kanë vizituar pavionet e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë dhe kanë biseduar për së afërmi me të paraburgosurit si dhe të dënuarit, po ashtu kryetarja është interesuar për respektimin e të drejtave të tyre të cilat ju takojnë sipas Ligjit. Nga ky takim si shqetësuese është vlerësuar fakti i numrit të madh i të paraburgosurve me çrregullime mendore, të cilët për shkak të mungesës së kapacitetit të Institutit Psikiatrik të Forenzikës së Kosovës, janë duke u mbajtur në këtë qendër.
Në anën tjetër z.Kamberaj ka mirëpritur vizitën e kryetares Shabani – Rama dhe të gjyqtarëve duke e konsideruar si përkrahje për punën e mirë e cila është duke u kryer. Gjatë kësaj vizite u diskutuan edhe çështje të ndryshme që ndërlidhen me punën e gjykatës dhe këtij institucioni korrektues.
Bazuar në Ligjin Për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale 04/L-149 neni 62, par 5 Kryetari i Gjykatës Themelore ose i deleguari i tij mund t’i vizitojë dhe të flasë me personat e dënuar në çdo kohë, dhe bazuar në nenin 203 pika 5 Kryetari i gjykatës themelore kompetente ose gjyqtari i cili ka urdhëruar paraburgimin, në çdo kohë mund të vizitojë të paraburgosurit, të bisedojë me ta dhe të pranojë ankesat e tyre.