Prishtinë 26 maj 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.M dhe A.S për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Kanosje nga neni 181 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.M dhe A.S e ka refuzuar dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e ndalimit për të ju afruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaj për secilin veç e veç, e cila masë do ti llogaritet prej datës 24.05.2022 deri me datë 24.06.2022. Të pandehurit B.M dhe A.S obligohen që në largësi prej 500 metrash të mos i afrohen të dëmtuarit A. A.
Konform nenit 177 paragrafi 5 të KPPK-së, gjykata mund ta caktojë masën më të rëndë -paraburgimin nëse të pandehurit B.M dhe A.S nuk e respektojnë masën e shqiptuar në aktvendim.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.