Prishtinë 07 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit A.A. i akuzuar sipas Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge nga neni 267 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari A.A është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 5.000 €, të cilin dënim i akuzuari obligohet ta paguaj brenda afatit prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në dënimin e shqiptuar me burgim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 13.12.2021 e deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, kurse në vështrim të nenit 367 paragrafi 1 të KPP-së, Gjykata me aktvendim të veçantë ka vazhduar masën e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmës Gjykatës Themelore në Prishtinë.