Prishtinë 28 shkurt 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuares P.K për veprën penale Shpërlarja e parave nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 dhe 3 të Ligjit nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
E akuzuara P.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej dhjetëmijë (10.000) €uro dhe me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve.
Me kërkesën dhe pëlqimin e të akuzuarës konform nenit 44 të KPRK-së, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gashtë (6) muajve, i është zëvëndësuar me dënim me gjobë në shumën prej tetëmijë (8000) €uro.
Andaj, gjykata konform nenit 76 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 të KPRK-së, për dënimin me gjobë dhe dënimin e zëvendësuar me gjobë të akuzuarës ia shqipton dënimin unik me gjobë në shumë prej tetëmbëdhjetëmijë (18.000) €uro, të cilin dënim e akuzuara P.K duhet ta paguajë në afat prej dy (2) muajve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Konfrom nenit 92 paragrafi 1 të KPRK-së dhe nenit 282 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.5 të KPP-së, ndaj të akuzuarës konfiskohet shuma e parave prej 91,080.00 £ GPB (nëntëdhjetë e njëmijë e tetëdhjetë funte Britanike), si pasuri që janë përfituar me veprën penale dhe obligohet Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në Prishtinë, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ti marr nën administrim dhe menaxhim parat e konfiskuara me këtë aktgjykim dhe e njëjtat të administroi në përputhje me Ligjin mbi Agjencinë.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.