Prishtinë 04 shkurt 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin dënues për të pandehurit Sh.N, L.O dhe S.N dhe të njëjtit i ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës – 06/L-074, ndërsa i pandehuri S.N edhe për shkak të veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 366, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata, konform dispozitave ligjore, të pandehurve Sh.N dhe L.O, për veprën penale të lartcekur i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite dënim me burgim si dhe dënim me gjobë në shumën prej 3000 euro, për secilin veç e veç.
Të akuzuarit S.N, për veprat penale nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe nenit 366 paragrafi 1 të KPRK-së, i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite dënim me burgim si dhe dënim me gjobë në shumën prej 3000 euro.
Konform dispozitave ligjore të pandehurve Sh.N, L.O dhe S.N në dënimin e shqiptuar do ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Tre të pandehurve iu është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotëfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Të pandehurit detyrohen që të paguajnë shpenzimet në lartësi prej nga 200 euro secili veç e veç si dhe në emër të fondit për kompenzimin e fondit per viktimat e krimit shumën prej nga 50 euro, secili veç e veç.
Palët e pakënaqura ndaj këtij aktgjykimi, kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditë pas marrjes së aktgjykimit në formë të shkruar.