Prishtinë 17 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.G. dhe A.F., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale Marrje ryshfeti nga neni 421 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 31 të KPRK-së, i pandehuri H.H. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Pranimi i ryshfetit në sektorin privat nga neni 309 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale Dhënie e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i pandehuri J.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Pranimi i ryshfetit në sektorin privat nga neni 309 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale Dhënie e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.G., A.F., H.H., J.H. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç. Të pandehurve B.G., A.F., H.H., J.H. paraburgimi iu caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafët 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar, bindëse dhe mjaftueshëm e argumentuar për këtë fazë të procedurës.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.