Prishtinë, 23 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve Z.K.. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, vepër kjo e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të dytë të saj, si dhe të akuzuarit D.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 LP të RSFJ-së, në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës.
I akuzuari Z.K. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 14 (katërmbëdhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga data 12.04.2019 deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
I akuzuari D.SH. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjet, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga data 14.06.2019 e deri sa aktgjykimi ta marr formën e prerë.
Të akuzuarve Z.K. dhe D.SH. me aktvendim të veçantë ju është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.
I akuzuari Z.K. në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, me datë 26 mars 1999, rreth orës 20:00 si pjesëtarë i forcave policore serbe, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, me vetëdije dhe duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, kishte marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së O.N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, me forcë kishte hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar nëntëmbëdhjetë anëtarë të kësaj familje, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe burra dhe nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kishin nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kishin rreshtuar në oborr para shtëpisë, pastaj në prani të tyre kishte marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje si djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë qe gjendej në oborr.
I akuzuari Z.K. në të njëjtën kohë kishte marrë pjesë edhe në dëbimin e pesëmbëdhjetë (15) anëtarëve të kësaj familje të cilët i kishin urdhëruar që të shpërngulen nga vendbanimi i tyre. I njëjti po ashtu kishte marrë pjesë në marrjen peng të katër personave, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i kishin ndarë nga pjesëtarët tjerë të familjes personat O.N.,B.N.,A.N. dhe B.N. tani të ndjerë, mandej pas marrjes peng të këtyre personave i pandehuri duke vepruar në bashkëveprim me kryerësit tjerë, ka kontribuar në trajtimin mizorë të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kishin hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.
I akuzuari D.SH. në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, me datë 01 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policorë, i armatosur me armë automatike, me qëllim të poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të viktimave O.N., B.N., B.N, A.N. dhe I.R., duke zbatuar urdhrat ka kontribuar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare. I akuzuari D.SH. në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve, kishte urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive, të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.