Prishtinë, 19 korrik 2019 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi dhe gjyqtarja përgjegjëse e Departamentit Administrativ Luljeta Maxhuni kanë pritur në takim përfaqësuesin e GIZ-it Gjerman në Kosovë Karl Weber. Në takim është diskutuar lidhur me ndikimin që ka pasur zyra e skanimit e financuar nga GIZ-i në Departamentin Administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Z.Weber u shpreh se është i vendosur që pas rezultateve të dukshme pozitive dhe rritjes së efikasitetit të punës në Departamentin Administrativ, GIZ do të vazhdojë mbështetjen e zyrës së skenimit në këtë departament. Zyra e skanimit në Departamentin Administrativ do të punojë në vlerësimin e kompetencës dhe çështje tjera teknike për të cilat u vlerësua se do të kenë impakt në rritjen e efikasitetit të përgjithshëm të punës në aspektin e uljes së numrit të lëndëve të pazgjidhura.
Kryetarja Bytyçi u zotua se do të ofrojë bashkëpunim dhe kushte optimale për punë për stafin e angazhuar nga ky projekt, pasi vlerësoi se kjo është në interes të gjykatës.
Gjykata Themelore në Prishtinë dhe GIZ pritet që në të ardhmen të bashkëpunojnë edhe në aspektin e mbështetjes së Departamentit Administrativ me bashkëpunëtorë profesionalë dhe trajnimin e gjyqtarëve si dhe të stafit administrativ.