Prishtinë, 18 korrik 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.O. për shkak të veprave penale Vrasja e rëndë nga neni 173 par.1 pika 1.1 dhe Dhunimi nga neni 227 par.7 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit S.O. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 187 par.1 nën par.1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, për faktin se nëse i pandehuri do të gjendej në liri i njëjti mund të ik, të fshihet me qëllim të shmangies nga procedura penale, mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, mund të ndikojë në dëshmitarë dhe ekziston rreziku i përsëritjes së veprës së njejtë apo të ngjashme penale.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.