Prishtinë, 18 qershor 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.M. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë në tentativë nga…
Prishtinë, 18 qershor 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.M. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë në tentativë nga neni 173 par.1 pika 1.3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit G.M. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri G.M. më datë 16.06.2019 në shtëpinë e tij, me qëllim që ta privoj nga jeta të dëmtuarën A.A. me të cilën bashkëjeton, kishte shtënë në drejtim të saj me armë zjarri. I pandehuri pas gjysmë ore e kishte dërguar të dëmtuarën në Spitalin Amerikan në Prishtinë duke mos e njoftuar policinë.
Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase nëse i pandehuri gjendet në liri do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë të rastit. Duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të pandehurit dhe sjelljet e tij të mëparshme, nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsërisë veprën penale.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.