Prishtinë, 23 maj 2019 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë bashkë me Zëvendës- drejtoreshën për Demokraci dhe Qeverisje të USAID Miranda Jolicoeur, Ish-kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës Musa Dragusha dhe Prodekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës Besfort Rrecaj kanë marrë pjesë në hapjen zyrtare të Garës Vjetore të Gjykimit të…
Prishtinë, 23 maj 2019 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë bashkë me Zëvendës- drejtoreshën për Demokraci dhe Qeverisje të USAID Miranda Jolicoeur, Ish-kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës Musa Dragusha dhe Prodekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës Besfort Rrecaj kanë marrë pjesë në hapjen zyrtare të Garës Vjetore të Gjykimit të Simuluar që do të zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në fjalën e saj hyrëse Kryetarja Afërdita Bytyçi ka thënë se Gjykata Themelore në Prishtinë ofron përkrahje në realizimin e gjykimeve të simuluara, pasi është në interes të sistemit të drejtësisë përgaditja e kuadrove të ardhshme. “Studentët që sot do të marrin pjesë në gjykimin
e simuluar janë me fat, pasi që u është ofruar mundësia që të përfitojnë përgaditje profesionale në zhvillimin e seancave gjyqësore.” ka shtuar Bytyçi.
Kjo garë do t’iu mundësojë studentëve të fakulteteve juridike t’i përmirësojnë njohuritë për të drejtën penale në praktikë, duke simuluar procedurat përmes një rasti hipotetik.
Gara Vjetore e Gjykimit të Simuluar do të zhvillohet edhe gjatë ditës së nesërme ku studentët do të paraqesin fjalën përfundimtare në një rast penal, si dhe do të kenë mundësi të njihen me studentë të universiteteve të tjera dhe me institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Kjo garë është organizuar nga projekti i USAID-it Drejtësia Vlen në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës.