Është shpallur aktgjykimi kundër të akuzuarit L.M

Është shpallur aktgjykimi kundër të akuzuarit L.M

Prishtinë, 04 mars 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit L.M.

I akuzuari L.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vitesh e 6 (gjashtë) muaj për veprën penale Rrezikim i trafikut publik nga neni 378 par. 9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 22.10.2018 e deri më tani, ndërsa i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet që të mbrohet në liri nga data 04.03.2019.

 

I akuzuari L.M është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 22.10.2018, rreth orës 16:10, në rrugën B – afër “Royall Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMW”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend kalimin për këmbësor, i kishte goditur këmbësoret L.A dhe F.R e si pasojë e lëndimeve të marra tani të ndjerat kishin ndërruar jetë në QKUK-ë.

 

Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civilo-juridik.

 

Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.