Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit E.J

Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit E.J

Prishtinë, 13 dhjetor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.J, për shkak të veprave penale Falsifikimi i dokumentit nga neni 398 të KPK-së, Prezantimi i rremë nga neni 417 të KPK-së dhe veprën penale Spiunazhi nga neni 131 par. 4 të KPK-së.

Të pandehurit E.J iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.J me datë 01.12.2010 kishte përpiluar dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal me të cilin kinse e ka themeluar marrëdhënien e punës në Agjensinë Kosovare të Inteligjencës, me pozitë Udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit, po ashtu kishte përdorur dokumentin – vendimin e falsifikuar të Qeverisë së Kosovës në të cilin kishte themeluar marrëdhënien e punës duke u vetëpunësuar si zyrtar i Agjensionit Kosovar të Inteligjencës, në pozitën Udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit, ashtu që ishte prezantuar rrejshëm si zyrtar i AKI-së me qëllim që t’i shmanget kontrolleve nga organet përgjegjëse dhe duke u paraqitur si zyrtar i AKI-së kishte mbledhur të dhëna dhe dokumente të falsifikuara duke krijuar qasje në dokumente dhe të dhëna të besueshme.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.J është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsëris veprat e njëjta apo të ngjashme penale.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.