Kryetarja e Gjykatës mirëpret në takim gjyqtarët e rinj

Kryetarja e Gjykatës mirëpret në takim gjyqtarët e rinj

Prishtinë, 30 tetor 2018 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi ka mbajtur takim me gjyqtarët e rinj të emëruar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe Degët e saj. Pjesë e këtij takimi ishin 20 gjyqtarë të cilët do të caktohen në Departamente të ndryshme të Gjykatës e të cilët do të fillojnë punës së shpejti. Qëllimi i këtij takimi ishte akomodimi i gjyqtarëve në ambientin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndarja e lëndëve tek këta gjyqtarë dhe disa çështje tjera që ndërlidhen me punën e tyre.

Kryetarja Bytyçi duke folur për rëndësinë e trajtimit të lëndëve të vjetra dhe zvogëlimin e tyre, shtoi se gjyqtarët e rinj do të angazhohen në Departamentet ku numri i lëndëve është më i madh. Ndër të tjera, ajo theksoi rëndësinë e respektimit të Kodit të Etikës dhe bashkëpunimin me gjyqtarët aktual të cilët punojnë në Gjykatë.

Gjenerata e këtyre gjyqtarëve kanë ndjekur trajnimin fillestar 12 mujor të organizuar nga Akademia e Drejtësisë me rreth 120 ditë trajnim teorik dhe 107 ditë trajnim praktik . Gjithashtu, programi trajnues ka përfshirë edhe 18 vizita dhe programe trajnimi praktikë në institucione jo gjyqësore.