Të pandehurit M.D i është caktuar masa e paraburgimit

Të pandehurit M.D i është caktuar masa e paraburgimit

Prishtinë, 09 tetor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.D për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par. 2 të KPK-së dhe Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme para ushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me nenin 3 të Ligjit nr.05/L-002 për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë Territorit të Vendit.

Të pandehurit M.D i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.D që nga muaji mars të vitit 2013, kishte shkuar nga Gjermania përmes rrugëve të ndryshme në Republikën arabe të Sirisë dhe i është bashkuar Organizatave të ndryshme, organizata këto të shpallura si organizata terroriste nga ana e Kombeve të Bashkuara.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.D është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe po ashtu i pandehuri po të gjendet në liri mund ta pengojë rrjedhën normale të procedurës penale duke pasur parasysh natyrën e veprave penale si dhe rrezikshmërinë e tyre.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.