Të pandehurës S.Z-S i është caktuar masa e paraburgimit

Të pandehurës S.Z-S i është caktuar masa e paraburgimit

Prishtinë, 08 tetor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës S.Z-S për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurës S.Z-S i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt. 05.10.2018 deri me dt. 05.11.2018.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.09.2018, e pandehura S.Z.S në banesën e saj në Francë ku ishte duke jetuar së bashku me bashkëshortin e saj, me dashje e ka privuar nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e saj A.S duke e goditur me sëpatë në regjionin e kokës, me ç’ rast i njëjti kishte mbetur i vdekur.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës S.Z-S është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale dhe dënimin e paraparë për këtë vepër penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale dhe karakteristikat e saj personale, të cilat tregojnë rrezikun se e pandehura po të gjendet në liri mund të arratiset, pasi që për të njëjtën është lëshuar fletë arrest ndërkombëtarë.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.